Hapja e ekspozitës kolektive “Femra Krijuese 2019”

 Në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë u hap ekspozita tradicionale të artisteve femra të titulluar “Femra Krijuese”, ekspozita u mbajt me rastin e DitësNdërkombëtare të Gruas ku para artdashësve artistet u prezentuan me 38 vepra arti nga drejtimet e pikturës, skulpturës, grafikës, dizajnit grafikë, fotografisë dhe artit konceptual të punuara në teknika të ndryshme si akuatintë, teknikë e kombinuar, vepra të realizuara në vaj dhe akril duke përdorur dhe materiale tjera, skulptura të realizuara në gips dhe në tel e vepra të tjera të realizuara në dru e në xham.

Drejtori i Galerisë së Arteve Pamore Tetovë Reshat Pajaziti hapi edicionin e tetë me rradhë të ekspozitës të artisteve “Femra Krijuese” ku para artisteve dhe artadshësve tha “I.N.Galeria e Arteve Pamore Tetovë pas 8 viteve bashkëpunim dhe 3 vite organizatore e ekspozitës “Femra krijuese”, sot sërish tubon artistet femra në ditën e tyre ndërkombëtare duke e shënuar atë në mënyrën më të përshtatshme. Veprat e tyre janë mesazhe të fuqishme që duhet kuptuar nga të gjithë. Galeria e Arteve Pamore është dhe do të vazhdojë të jetë përkrahje për të gjitha aktivitetet artistike që kontribojnë për zhvillimin dhe përmirësimin e jetës kulturore, për inkurajimin e artistëve të rinjë, për afrimin e qytetarëve me Galerinë duke u munduar të krijojmë një traditë për vizitë në institucionet ku servohet arti”

Ai derisa e shpalli solemnisht ekspozitën të hapur i përgëzoi të gjitha artistet për punën e bërë dhe u uroi shëndet dhe suksese në jetë.

Në këtë edicion të tetë pjesëmarrëse ishin 38 artiste të cilat vijnë nga Shkodra, Struga, Dibra, Kërcova, Gostivari, Tetova, Shkupi, Kumanova, Presheva, Kacaniku dhe Prishtina.