Ekspozita personale me fotografi artistike e kinematografit dhe fotografit Halim Luta nga Tetova, të titulluar “Natyra si liri shpirtërore”.

Përpara artdashësve tetovarë dhe mysafirëve të pranishën Halimi u prezntua me 34 fotografi artistike.

“Kur kërkojmë lirinë, duhet të jemi të vetëdijshëm se nevojitet t’i duam gjërat që njohim dhe të kemi parasysh se, a mund t’i arrijmë ato. Mundësitë, apo kërkesat tjera mund të na çojnë drejt zhgënjimit dhe mungesës së lirisë, sepse kemi zgjedhur të lëvizim në një situatë, nga e cila do të dalim të paaftë për të vjelur frytet e dëshirave tona. Të qenit i lirë është zgjedhje individuale, dhe nuk varet nga asgjë tjetër pervçse prej vet shpirtit. Lirinë e vërtetë mund ta shohim vetëm atëherë kur kemi bë zgjedhjen e duhur dhe asnjëherë para, ose gjatë vet zgjedhjes, sepse vetëm liria shpirtërore mund të shoqërojë veprimin. Duke u nisur nga kjo, njoh dy lloj fotografësh, ata që e ngrijnë momentin dhe ata që e çlirojnë, apo i japin një shtytje plus, momentit. Kjo shtytje bëhet me qëllim që ajo të vehet në lëvizje të vazhdueshme, me qëllim që mos të mbahet mend vetëm si një moment i vetëm, por t’i mundësohet vrojtuesit të hyjë në labirnitin e fantazisë së autorit. Halim Luta i përket grupit të dytë të fotografëve të lartëpërmendur. Fotografia e tij nis udhëtimin e saj, menjëherë pas çastit të shkrepjes, që të mos merret më me të kaluarën, por vetëm me te ardhmen. Lëvizja e tij gjatë momentit të shkrepjes, vërteton thënjen se natyra ka ligje apsolute, që nuk ndryshojnë kurre, sikur që ndryshojnë ligjet njerëzore sipas vendit dhe kohës. Njohjen dhe mishërimin e tij me filmin e tregojnë vet kuadrot që na i përcjell me shumë përkushtim, duke na dhënë fotografi me harmoni të detajuar dhe të mbushura me plot emocion. Në çdo moment shkrepjeje, ai i bën pyetje vetes, se mos vallë e ka parë diku këtë “kuadër”, dhe në momentin e fundit bën lëvizjen për t’i dhënë një pamje dhe një dëshirë të tijën, me forma të njohura por me pamje dhe mesazh origjinal. Në luftën mes të mbrendshmes që ndjen, dhe të jashtmes që ai sheh, çdoherë triumfon ajo e mbrendëshmja apo ndjenja e tij për fotografinë dhe për artin në përgjithësi. Ndjenja e tij për natyrën dhe të bukurën i jep një liri shpitërore me të cilën shprehet shumë lirshëm dhe artistikisht fuqishëm, duke i mundësuar edhe vrojtuesit lirinë e shijimit të së padukshmës dhe shpirtërores. Pra, është e pamundur të komunikosh me fotografinë e Lutës, gjegjësisht me këtë ekspozitë, vetëm si vrojtues i formës, apo realitetit konkret, nëse nuk përjeton idenë dhe ndjenjën e momentit të shkrepjes së tij, përtej pikselave”, tha fotografi dhe Profesori i fotografisë Osman Demiri gjatë hapjes së ekspozitës.

“Instituti Nacional Galeria e Arteve Pamore – Tetovë vazhdon me realizimin e programit artistik duke inkurajuar artistët të përgatiten në aspektin profesional dhe të jenë të gatshëm të ekspozojnë veprat e tyre artistike para publikut.
Ne si Institucion jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të jemi gjithnjë pranë artistëve për të ndihmuar dhe përkrahur ata”, tha Drejtori i I.N. Galeria e Arteve Pamore z. Reshat Pajaziti në fjalën e tij përshëndetëse.

Galeria jonë tani më 11 vite kontribuon në vetëdijësimin dhe afrimin e qytetarëve me galerinë, ju mundëson të gjithëve atyre që kanë prirje dhe dëshirë për artin figurativ të behën pjesë e ngjarjeve që realizohen në galerinë tonë si dhe të
gjithëve ju mundëson të shijojnë një mbrëmje të këndëshme duke ndjekur punën e artisteve vendas si dhe artistëve nga rajoni dhe më gjërë.

Halim Luta i lindur në vitin 1985 në Tetovë, R.M. e veriut. U diplomua në kamerë dhe fotografi në Univerzitetin Shtetërorë të Tetovës. Ka marur pjesë në disa ekspozita kolektive me fotografi, në vend dhe jashtë vendit.Aktualisht punon si producent filmi, kinematograf dhe fotograf.