Sonte në Galerinë e Arteve në Tetovë u bë hapja solemne e ekspozitës “Extraordinary” me grafika të formatit miniaturë të tre grafistëve nga qyteti i Tetovës: Astrit Rexhepi, Berat Beqiri dhe Ylber Dauti.
40 veprat grafike të formatit miniaturë që u prezantuan para artdashësve, ngërthejnë në vete të gjitha elementet figurative kompozim të mirë, një ekuilibër të përsosur të ngjyrave dhe detajeve të destinuara për të reflektuar dritën, duke treguar një standard të zotërimit të teknikave grafike dhe eksperimentimi me monotipi në akuarel. Modelet, linjat, format, dhe teksturat e jashtëzakonshme që përcaktojnë një cilësi unike që mahnitin me kreativitetin dhe ndikimin emocional.
Veprat i shtyjnë kufijtë e formave tradicionale të artit dhe sfidojnë normat konvencionale, por grafistët ruajn marrëdhëniet me kohën dhe historinë ku përmes punimeve të shtypura në letër sjellin interpretim të temave me elemente nga tradita kombëtare.
Detajet nga dyert e vjetra, rrënjët e drunjëve, shtresat e dheut dhe shkëmbinjët e pasqyruar në këto kompozicione artistike përcjellin mesazhin që për të ndërtuar të ardhmen, ne duhet të mbrojmë të kaluarën, këndvështrim ky i shkruar në parathënien e katallogut nga kuratorja e I.N. Galeria e Arteve Tetovë, Shega Memeti.
Grafisti dhe profesori i artit Ylber Dauti njëherit dhe njëri nga autorët e kësaj ekspozite falënderoi të pranishmit të cilët vazhdimisht i nderojnë dhe ndjekin ekspozitat e tyre, si dhe ekipin e I.N. Galeria e Arteve – Tetovë për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë mbarëvajtjes së organizimit dhe realizimit të këtij projekti të përbashkët.
Ndërsa, hapjen solemne të ekspozitës e bëri U.D. Drejtoresha e Galerisë së Arteve Tetovë, znj. Arbenita Meta, e cila në fjalën e saj falënderoi autorët e ekspozitës Astrit Rexhepi, Berat Beqiri dhe Ylber Dauti për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe realizimin dinjitoz të ekspozitës. Poashtu, theksoi se I.N. Galeria e Arteve Tetovë vazhdon të bashkepunojë dhe të jetë pranë artistëve për ti përkrahur dhe ndihmuar në rrugëtimet e tyre artistike dhe profesionale.
📸Besnik Musliu -Niki
*** *** *** *** *** *** *** ***