Hapja e ekspozitës “Moda e së ardhmes” Nebie Berisha

Në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë, mbrëmë (14 Shator 2019) u hap ekspozita personale e skulptores Nebie Berisha Alimi. Skulptorja me origjinë nga Shkupi e cila jeton dhe vepron në Tetovë, në këtë ekspozitë u prezantua me 30 vepra – skulptura. Skulpturat janë të punara nga materiale të ndryshme recikluese.
Drejtori i I.N. Galeria e Arteve Pamore Tetovë, Reshat Pajaziti i pati fjalë përshëndetëse tha se në këtë Galeri ekspozojnë artistë figurativë me kurrikulë të pasur nga vendi, rajoni dhe më gjërë dhe se e tillë është edhe Nebie Berisha Alimi.

Ekpozitën e shpalli të hapur poetja dhe profesoresha Vjollcë Berisha e cila njëherit dhe ka shkruar kritikun e veprave të kësaj ekspozite të Nebie Berisha Alimit të titulluar “Moda e së ardhmes”.

Bukuria e artit është në aftësinë për të shpallur gjëra, objekte apo pozicione dhe afeksione që nuk banonin derimëtash në koncptimin e përgjithshëm. Gjatë shijimit të kasaj ekspozite të krijohet mu kjo ndjenjë e shkeljes në vise tepër të afërta, por që nuk t’i ka zënë syri më parë. Është fuqia e shndërrimit dhe pushteti i tij mbi perceptimet tona ai që e bën këtë vepër të pëlqyeshme për akëcilin vrojtues.
Me këtë cikël skulpturash “sui generis”, artistja Nebie Berisha shenjon në radhë të parë mundësinë inventive që ka talenti i saj prej skulptoreje me përvojë, për ta shpërfaqur më pas me tërë fuqinë shprehëse një botë laramane, të ndërtuar nga materiale krejtësisht atipike për “objektet” e realizuara.
Përmes shndërrimeve të guximshme të materialeve të forta, siç janë metalet, qelqurinat, kartuçet, plasmastet e ndryshme, objektet e zakonshme të përditshmërisë apo të atyre gjërave që kanë dalë nga përdorimi në kohën tonë (siç janë, bie fjala, videokasetat e dikurshme), si dhe të litarëve, thasëve, cohave të vjetra, në një varg veprash të reja krejtësisht sensuale, ku dominojnë veshjet e ndryshme e stolitë për gra, vezullon magjia e artit të Nebies. Magjia e këtij arti që në thelb ka transformimin apo përpjekjen në shkallë fushate të njeriut bashkëkohor për të ricikluar, për të rifunksionalizuar, për të zvogëluar hedhurinat e për të mbërritur tek e bukura edhe nga rrugët më të paimagjinueshme.
Bota e shqisave nuk është i vetmi sfond dhe hapësirë e kërkimit të skulptorses. Me këtë cikël veprash ajo mëton t’i thërrasë edhe vetëdijes kolektive për ta rizgjuar brenda tyre besimin e ngritjes nga hiçi, për ta injektuar mundësinë e shestimit të një bote delikate edhe nga materiale tërësisht praktike, të ftohta, e jo rrallë, edhe të dala nga përdorimi i çdoditshëm. Në të vërtetë kjo është një rrugë tjetër për ta vërtetuar atë që skulptura e ka shprehur me mijëra vite, kur ka bërë të ngriteten monumente të së bukurës e të së madhërishmes nga një masë e papërfillshme si balta.
Ndonëse autorja parapëlqen ta vërë theksin te moda e së nesërmes, të cilën e parashikon si thurje e të kundërtave, si bashkëdyzim i të mundshmes me të pamundshmen, si kombinim i të ftohtës me të ngrohtën, si diskrepancë e jashtëzakonshme midis materialit fillestar dhe produktit, si përkryerje e së ashprës dhe sensuales në art e të ngjashme, syri i kritikës mund të ngulmojë ta vërë në plan të parë elementin konceptual të kësaj vepre.
Cilidoqoftë këndvështrimi yt si receptues, kur je përballë ekspozitës, duke i vëzhguar punimet, marrë një nga një apo si tërësi, domosdo zhytesh në një përjetim estetik, që vjen si përgjigje e përkushtimit të gjatë ndaj së bukurës. Mënyra origjinale e shprehjes së artit të vet e bën këtë skulptore të dallueshme si me tërë opusin e saj të deritanishëm, ashtu edhe me këtë cikël skulpturash, ku spikat talenti dhe puna e saj ngulmuese.
Teksa vështron ciklin e skulpturave të Nebie Berishës ke ndjesinë e atij që viziton një sfilatë mode avangarde e që ta kujton pareshtur se asgjë në këtë botë s’mund të quhet e dalëboje.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për artdashësit 10 ditë. u